KFOR nesër nis largimin e barrikadave në veri të Kosovës
Mitrovicë, 16 tetor - Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Drews takoi sot përfaqësuesit e veriut të Mitrovicës, Zveqanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit për të shkëmbyer pikëpamjet mbi gjendjen e tanishme në veri të Kosovës dhe për të gjetur zgjidhje për largimin e bllokadave rrugore të cilat janë duke e vështirësuar lirinë e lëvizjes për të gjithë, përfshirë edhe KFOR-in.
Takimi sipas njoftimit t' KFOR-it është mbajtur në atmosferë shumë konstruktive. Të dy palët pranuan të drejtën e lirisë së lëvizjes për popullatën e poashtu edhe për KFOR-in, EULEX-in dhe të tjerët.
Megjithatë, nuk u arritën rezultate konkrete sa i përket largimit të barrikadave rrugore.
Komandanti i KFOR-it i informoi përfaqësuesit e komunave të veriut se duke filluar nga dita e hënë, ai synon të fillojë furnizimin e trupave të KFOR-it nëpërmjet rrugëve në Portën 1 (Jarinje), Pikën 31 (Bernjak) dhe Kampin Nothing Hill.
Komandanti i KFOR-it pret qasje të pakushtëzuar dhe permanente në këto instalime zyrtare në përputhje me mandatin e KFOR-it.
"Nëse popullata lokale nuk ka pasur mundësinë e hapjes së bllokadave rrugore gjatë kësaj fundjave, atëherë KFOR do ta bëjë këtë të hënën në mënyrë paqësore, në mënyrë që të lehtësojë kalimin e konvojit të automjeteve inxhinierike", ka thënë Drews.
Misioni i KFOR-it është ta ruajë një ambient të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e të gjitha komuniteteve në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë të vendosur, të kujdesshme dhe të paanshme, në pajtim të plotë me mandantin tonë të Kombeve të Bashkuara.