KFOR largon edhe një barrikadë në Jarinjë
Serbët kanë rezistuar duke mos u tërhequr nga barrikada, mirëpo KFOR me anë të gazit lotësjellës ka arritur që të shpërndajë turmën.
Në këtë incident që ka pasur provokime nga serbët janë arrestuar dy veta, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Menjëherë pas vënies së kontrollit ndaj kësaj barrikade, serbët kanë shkarkuar zhavor në një distancë më të largët duke krijuar një barrikadë të re.
Ushtarët e KFOR-it kanë bllokuar edhe dy rrugë alternative në afërsi të vendkalimit Jarinjë dhe lumit Ibër, që çojnë drejt Leposaviqit dhe Rashkës.
Kryetari ilegal i komunës së Leposaviqit Branko Niniq, ka ftuar qytetarët për qetësi dhe ka kërkuar nga ta vazhdimin e luftës me mjete paqësore për, siç ka thënë ai, realizimin e të drejtave të veta legjitime.
Ndërkaq i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkovic ka thënë se duke thyer barrikadën në Jarinjë, të mërkurën në mëngjes, KFOR-i ka tradhtuar besimin e serbëve të veriut të Kosovës.
Ai shtoi se KFOR-i kështu ka tradhtuar vullnetin e mirë të shprehur të serbëve për mundësimin e qarkullimit të lirë të furnizimeve dhe të ndërrimit të ushtarëve pikërisht në atë vend.
"Nuk është në mandatin e KFOR-it që të bllokojë rrugët alternative dhe hermetikisht të mbyllë këtë pjesë të vendit. Nga kjo ne duhet të nxjerrë mësime. Pa marrë parasysh se sa shumë ushtarë ka KFOR-i, ata nuk munden me dhunë të imponojnë zgjidhje," tha ai për Beta.
Nedeljkovic thotë se duhet të ndryshojë politikat dhe strategjia "kur është fjala te bashkësia ndërkombëtare dhe se ata duhet të pranojnë faktet dhe realitetin në terren se serbët në veri të Kosovës nuk i duan të ashtuquajturat institucionet e Kosovës".