KFOR kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë
Prishtinë, 5 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Komandantin Suprem të Forcave të Përbashkëta për Evropën të NATO-s, Admiralin Xhejms Stavridis.
Temë bosht e takimit ishte gjendja aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, progresi i arritur në Kosovë dhe thellimi i bashkëpunimit me NATO-n.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takim shprehu mirënjohjen e lartë për kontributin substancial që ka dhënë Aleanca Veriatlantike e NATO-në në ngritjen dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, një forcë që është duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë sipas standardeve më të larta të NATO-s.
Gjendja e sigurisë në Kosovë nga dy bashkëbiseduesit u vlerësua përgjithësisht stabile. Në këtë kuadër, kryeministri Thaç vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë dëshmon se gjendja e sigurisë çdo ditë e më tepër është stabile dhe se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin përgjegjësitë që iu takojnë për sigurinë e vendit, - u shpreh kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit me Admiralin Xhejms Stavridis, u shpreh për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyer me NATO-n në funksion të paqes dhe sigurisë së gjithmbarshme në rajon.
Nga ana e tij, Komandanti Suprem të Forcave të Përbashkëta për Evropën të NATO-s, Admiralin Xhejms Stavridis falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen e ngrohtë dhe theksoi përkushtimin e NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.