KFOR-i shtyn për të martën largimin e barrikadave
Prishtinë, 17 tetor - Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs, ka shtyrë kohën e konvojeve të KFOR-it për furnizimin e trupave të KFOR-it në pikat kufitare deri të martën, duke u dhënë më shumë kohë qytetarëve të veriut të Kosovës në largimin e barrikadave rrugore.
Përfaqësuesit e komunave të Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur tu ofrojë një ditë shtesë. Komandanti i KFOR-it vlerëson vullnetin e tyre për ti hapur rrugët për furnizimin e trupave të KFOR-it në Jarinje dhe Bernjak dhe kampin Nothing Hill, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Për më tepër, misioni i KFOR-it shpreh përkushtimin për të vazhduar me kujdes dhe në mënyrë të paanshme që të ruajë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për njerëzit e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Më herët, KFOR-i kishte paralajmëruar se largimi i barrikadave do të bëhej ditën e hënë.