KFOR-i shton patrullimet në veri
Prishtinë, 27 shtator - Misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, KFOR ka njoftuar se ka rritur patrullimet në mbarë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore, teksa të hënën është shënuar dita e tetë qëkur rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë bllokuar.
“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që buron nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar - që të ofrojë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit të KFOR-it.
Disa media lokale në Kosovë kanë pubikuar fotografi të ushtarëve të KFOR-it, të pranishëm në rrugën kryesore në Jarinjë dhe në rrugë alternative.
Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.