23 Dhjetor 2024

KFOR-i pritet të reduktoj trupat ushtarake

Prishtinë, 29 tetor - NATO-ja këto ditë do të hyjë në të ashtuquajturën fazën e dytë “gate 2" në procesin e transformimit dhe reduktimit të pranisë së saj në Kosovë përmes misionit të KFOR-it.

Vendimi tashmë është përgatitur nga Këshilli i NATO-s, bazuar edhe në sugjerimet dhe analizat e autoriteteve ushtarake, dhe vetëm pritet pajtimi i vendeve pjesëmarrëse të KFOR-it që ky vendim të bëhet zyrtar.

NATO-ja në këtë fazë, në të cilën do të hyjë, do të zvogëlojë praninë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë, në faza, deri në pak më shumë se 5 000 ushtarë.

Arsyetimi i NATO-s për këtë vendim do të jetë fakti se në Kosovë është përmirësuar situata e përgjithshme e sigurisë, se NATO-ja ka nevojë për një prani, e cila do të jetë më e vogël, por më e lëvizshme në Kosovë, dhe se në Kosovë NATO-ja nuk është i vetmi aktor në aspektin e sigurisë.

Por në NATO pohojnë se, pa marrë parasysh zvogëlimin, Aleanca do të mbajë në Kosovë gjithmonë aq ushtarë sa do të jetë e domosdoshme për të siguruar një ambient të sigurt dhe tw stabilizuar në Kosovë për të gjithë qytetarët.

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giampaolo di Paola, deklaruar mw parw se janë pjekur kushtet për të vazhduar zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Kosovë dhe kishte paralajmëruar se autoritetet ushtarake do ta bëjnë këtë rekomandim te Këshilli i NATO-s, trupi politik më i lartë, i cili merr vendimet në NATO.

Numri në rritje i policëve të Kosovës, marrja e disa kompetencave nga EULEX-i, dhe ndarja e qartë e roleve në raste të nevojës, bën që, sipas NATO-s, në Kosovë të ketë aktorë të mjaftueshëm të sigurisë për t`u përballur me çdo sfidë.

Sipas këtyre aranzhimeve, në rast të trazirave së pari ndërhyn policia e Kosovës, e cila, në rast nevoje, kërkon dhe merr ndihmë edhe nga njësitë speciale të EULEX-it, ndërsa në rast të përshkallëzimit të situatës ndërhyn edhe NATO-ja.

Këto aranzhime, thonë ekspertët e NATO-s, do të bëjnë të mundshëm që të reagohet në mënyrë dhe kohë të duhur në rast të kërcënimeve të situatës së sigurisë, siç kanë qenë trazirat e marsit të vitit 2004, apo sulmet në vendkalimet kufitare me Serbinë në shkurt të vitit 2008.

NATO-ja ka hyrë në Kosovë me rreth 50.000 ushtarë, në mesin e qershorit të vitit 1999, pas përfundimit të fushatës ajrore për çlirimin e Kosovës. Gradualisht numri i ushtarëve ishte zvogëluar me përmirësimin e situatës së sigurisë.

Tani vlerësohet se kërcënimet potenciale të sigurisë në Kosovë nuk janë të natyrës ushtarake, por janë më shumë për shkak të tensionimeve politike apo krimit të organizuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)