KFOR-i pritet që pasdite të nis heqjen e barrikadave
Prishtinë, 19 tetor - Trupat e KFOR-it kanë bërë të ditur se do të presë deri sot pasdite në mënyrë që serbët e veriut të heqin barrikadat, përndryshe barrikadat do të largohen nga ana e KFOR-it.
Kryetarët ilegalë të veriut do të mblidhen sot paraditen në orën 11:00 në Zveçan dhe konkluzionet e këtij takimi do t`ia paraqesin përfaqësuesve të KFOR-it.
Nëse edhe pas këtij takimi serbët nuk heqin barrikadat, Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews ka siguruar se barrikadat do të largohen nga ana e KFOR-it.
Trupat e NATO-s kishin caktuar ditën e martë si afat për zhbllokimin e rrugëve. Në një njoftim të KFOR-it thuhet se në orët e paradites, dy autokolona u nisën për të furnizuar trupat e KFOR-it në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe në Bërnjak nëpërmjet rrugëve në veri të Kosovës. Por, protestuesit serbë u mblodhën në afërsi të barrikadave për të kundërshtuan heqjen e tyre.
Komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Drews është shprehur i zhgënjyer me faktin se qytetarët në veri nuk e kaluan provën.
Që nga 16 shtatori, forcat e NATO-s kanë dërguar me helikopterë doganierët e EULEX-it dhe të Kosovës në vendkalimet kufitare, po ashtu edhe furnizimet e ushtarëve janë bërë në rrugë të njëjtë.
Ushtarakët e NATO-s nuk deshën të komentojnë nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave, por përsëritën se liria e lëvizjes duhet të rivendoset në veri.
Në një njoftim për shtypin thuhet se misioni i KFOR-it është të ruajë një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës nga të gjitha komunitetet.
KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë këtë fuqishëm, me kujdes dhe me paanshmëri në pajtim të plotë me mandatin e tij, thuhet në njoftim.
Një përpjekje për largimin e barrikadave muajin e kaluar, çoi në përleshje të dhunshme ku u plagosën të paktën 11 persona, nga të cilët katër pjesëtarë të forcave paqeruajtëse.
Beogradi, i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon që në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të përfshihet statusi i vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Prishtina refuzon të diskutojë me Beogradin për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm të Kosovës.
Mosmarrëveshjet çuan në ndërprerjen e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, vazhdimi i të cilave është vënë si kusht nga Komisioni Evropian për fillimin dialogut me Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.