KFOR-i pret komandantin e komandës së forcave të përbashkëta në Napoli
Prishtinë, 28 prill - Komandanti i Forcës së Kosovës (KFOR-it), Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo, mirëpriti në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it-NATO në Prishtinë, Admiralin nga Flota Ushtarake Detare e SHBA-ve Mark E. Ferguson III, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Admirali Ferguson, i shoqëruar nga Gjenerali Figliuolo, sot u takua me Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, zt. Skender Hyseni, i cili shprehu falënderimet e tij Admiralit Ferguson për angazhimin e ushtarëve të KFOR-it, duke vlerësuar lart praninë e KFOR-it në Kosovë.
Vizita vazhdoi me takimin me Zëvendës Shefen e misionit të EULEX, znj. Joëlle Vachter. Gjatë takimit ata diskutuan shumë tema lidhur me situatën e sigurisë dhe sistemin gjyqësor në Kosovë, duke iu referuar në veçanti procesit që do të sjellë krijimin e Gjykatës Speciale. Znj. Joëlle Vachter i konfirmoi Admiralit Ferguson bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që ekziston ndërmjet EULEX-it dhe KFOR-it, të cilët bashkëpunojnë çdo ditë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Në Kampin Film City, SHP i KFOR-it, Admirali Ferguson u informua mbi zhvillimet e fundit të situatës së sigurisë dhe mbi situatën aktuale sociale e ekonomike në Kosovë. Gjithashtu u theksua roli efektiv i KFOR-it në ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes, që mundëson zhvillimin e kushteve më të mira sociale dhe ekonomike. Admirali Ferguson konfirmoi angazhimin e KFOR-it edhe në të ardhmen e afërt.
Vizita u përmbyll me një takim me ambasadorët e shteteve të Kuintit (Quint), pra të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Kombeve të Bashkuara të Amerikës, dhe të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut. Gjatë takimit, u theksua roli i KFORi-it, në kontekstin delikat të Balkanit dhe nevoja që të vazhdohet përmbushja e misionit. Gjithashtu u diskutua edhe për promovimin e dialogut në rajon dhe implementimi i Marrëveshjes së Brukselit.