KFOR i përgatitur të veprojë nëse rrezikohet stabiliteti
Prishtinë, 19 prill - Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
“Ristuccia, komandant i misionit KFOR, u takua me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm Mircea Geoana, për të diskutuar përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe aktivitetet e KFOR-it për të zbatuar mandatin e OKB-së dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, njofton KFOR-i përmes një postimi në Twitter.
KFOR njofton, se Ristuccia, iu drejtua gjithashtu edhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, duke theksuar se KFOR-i është plotësisht i përgatitur të veprojë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.