KFOR-i heq një barrikadë pranë Rudarës
Mitrovicë, 17 qershor - Ushtarët e KFOR-it kanë hequr një barrikadë të re të serbëve, në rrugën që çon në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Disa orë pasi banorët lokalë kanë vendosur drunj, anëtarët gjermanë të KFOR-it kanë bllokuar urën në Zveçan dhe kanë larguar të gjitha pengesat nga rruga.
Qytetarët nuk kanë shfaqur rezistencë dhe operacioni ka kaluar në mënyrë të qetë, raportojnë mediat serbe.
Ai pason aksionin e së shtunës, kur misioni paqeruajtës ka mbyllur fizikisht një vendkalim ilegal kufitar në afërsi të Bërnjakut.
Ky operacion ka nxitur reagimin e serbëve lokalë, por edhe të Qeverisë në Beograd, e cila ka fajësuar KFOR-in për rritje të tensioneve në veri.
Që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, banorët serbë të veriut kanë penguar vazhdimisht lëvizjen e lirë, duke vendosur barrikada në rrugë.