KFOR i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti në veri
Prishtinë, 5 nëntor - Mircea Geoana, zëvendës i sekretarit të përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
“Si Beogradi, ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës. NATO mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka thënë ai.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR pas tërheqjes së përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Republikës së Kosovë dhe heqjes së uniformave nga disa eprorë të Policisë së Kosovës, ka thënë se ata po monitorojnë situatën dhe po bashkëpunojnë ngushtë me liderët në Prishtinë dhe Beograd, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të adresojnë dhe diskutojnë dallimet përmes dialogut konstruktiv. Sillni përparim në shoqëri! Shprehni mendimet tuaja në mënyrë paqësore dhe kërkoni kompromise”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.