KFOR, i gatshëm për parandalimin e incidenteve
Prishtinë, 5 maj - Forcimi i trupave me batalionin gjermano-austriak, është një masë paraprake për të mos lejuar një përdorim dhune në prag të zgjedhjeve serbe në veri.
Në një intervistë për DW, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews shprehet se detyra e KFOR-it është të koncentrohet në hapësirën e sigurisë, ndërsa e EULEX-it në zbatimin e rregullave të shtetit juridik.
Jam i sigurt se ne jemi të gatshëm të evitojmë tendosjet apo incidentet e mëdha në këtë fundjavë zgjedhore. Në veçanti kur dihet se OSBE-ja, në marrëveshje me Beogradin dhe Prishtinën, ka marrë përsipër përgjegjësinë për drejtimin e këtyre zgjedhjeve, ka thënë Drews.
Në veri të Kosovës ende ekzistojnë të ashtuquajturat rrugë alternative. Mbylljen e këtyre rrugëve e ka kërkuar edhe NATO-ja. Drews thotë se KFOR-i nuk është mision i shtetit juridik dhe se kjo është detyrë e EULEX-it.
Detyra e KFOR-it është të koncentrohet në hapësirën e sigurisë, ndërsa e EULEX-it në zbatimin e rregullave të shtetit juridik. Në bazë të mandatit të tanishëm dhe sugjerimeve politike që vijnë nga Brukseli, KFOR-i nuk mund të zbatojë detyra shtesë që kanë të bëjnë me masat policore dhe doganore, thekson ai.