KFOR-i do veprojë sipas situatës në veri
Prishtinë, 2 nëntor - Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews e ka bërë të qartë se nëse problemi në veri nuk zgjidhet me anë të dialogut atëherë KFOR-i do të veprojë sipas rrethanave në terren.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, lidhur me situatën në veri të vendit tha se dialogu është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit në veri.
Komandanti i KFOR-it e tha dje në mënyrë të qartë se ai dëshiron ta zgjidhë problemin me dialog. Nëse dialogu nuk është i suksesshëm, atëherë ai do të përdorë forma të tjera. Por, për ne, kryesore është që të përdoret dialogu, tha Novicki.
Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në rajonin e Mitrovicës, policia e Kosovës nuk ka regjistruar ndonjë incident që do të rrezikonte sigurinë. Megjithatë, barrikadat mbesin ende nëpër rrugët e veriut, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Lidhur me kthimin e një autokolone të KFOR-it nga ana e serbëve, Novicki tha se nuk ka ndonjë informacion të tillë, por megjithatë, KFOR-i është duke bërë hetime rreth këtij rasti.