KFOR-i do vazhdojë të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe ambient të qetë
Presidenti Thaçi i ka uruar detyrën e re Gjeneral-Majorit Fungo dhe ka shprehur kënaqësinë që këtë detyrë e merr një ushtarak që njeh mirë rajonin nga detyrat e mëhershme që ka kryer.
Kreu i vendit u shpreh se KFOR-i gëzon besimin e madh të qytetarëve të Kosovës dhe se kjo është falë punës dhe përkushtimit që ka dëshmuar.
KFOR-i është i pazëvendësueshëm, ka thënë Presidenti Thaçi dhe ka shtuar se puna e KFOR-it është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë por edhe në rajon.
Ndërkaq, Gjeneral-Majori Fungo ka shprehur kënaqësinë që është përsëri në Kosovë dhe ka konfirmuar angazhimin e KFOR-it të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
Moto e imja do të jetë besim dhe përkushtim që përshkruan misionin e KFOR-it XXI, ka thënë Komandanti i KFOR-it Fungo.
Presidenti Thaçi u shpreh se falë punës së përbashkët kemi ndërtuar një shoqëri mbi themelet e multi-etnicitetit, të bashkëjetesës, të tolerancës etnike dhe fetare dhe u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin e shkëlqyer me KFOR-in.