KFOR-i dhe EULEX operacione në veri të Kosovës
Prishtinë, 31 gusht - Operacioni u realizua në kuadër të hetimeve për vrasjen e pjesëtarit të njësitit special të policisë së Kosovës të vrarë më 26 korrik dhe për djegien e pikës kufitare Jarinjë. Bëhet e ditur se gjashtë persona janë në kërkim për vrasjen e policit dhe dhunën në pjesën veriore.
Në disa pika të rrugëve në këtë zonë janë të pranishme forca të shumta të KFOR-it, të cilët kryejnë kontrolle të makinave dhe nuk kanë lejuar hyrjen e tyre në Zubin Potok.
Policia e EULEX ka kryer kontrolle në disa shtëpi të serbëve në Zubin Potok. Mirëpo, siç bëhet e ditur policia speciale evropiane është tërhequr më pas drejt Prishtinës.
Nicholas Hawton, zëdhënës i EULEX ka thënë në mëngjes se EULEX ka ndërmarrë një aksion në veri me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit dhe për të vazhduar hetimet që po bëhen përkitazi me vrasjen e policit kosovar, i cili humbi jetën në detyrë më 26 korrik të sivjetmë.
Në orët e hershme të mëngjesit , policia e EULEX-it bashkë me policë të Kosovës kanë filluar një aksion në Zupç të Zubin Potokut, aksion ky i cili po vazhdon ende dhe është ndërmarrë si pjesë e hetimeve kriminale që po bëhen për vrasjen e policit Enver Zymberi, ka deklaruar për mediat kosovare, udhëheqësi i zyrës për informim i EULEX-it, Nicholas Hawton.
Sipas tij aksioni është ndërmarrë me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit dhe për të vazhduar hetimet që po bëhen përkitazi me vrasjen e policit kosovar, i cili humbi jetën në detyrë më 26 korrik të sivjetmë.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka njoftuar deputet për aksionin policor që forcat e ndjekjes kanë zhvilluar sot në veri.
Ai tha se janë konfiskuar evidenca te rëndësishme por edhe armë të ndryshme që janë përdorur në veprimet e strukturave kriminale.
Organet e drejtësisë tha kryeministri Thaçi, kanë përgatitur edhe një numër të kallëzimeve penale kundër një numër personash që kanë cenuar sovranitetin e Kosovës tash e 12 vite.
Kryeministri, Hashim Thaçi, po ashtu ka akuzuar sot përsëri Beogradin zyrtar se qëndron prapa strukturave kriminale në veri të vendit.
Ai tha se sipas të dhënave të institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, rezulton se këto strukturat kriminale po shndërrohen në struktura paramilitare.
Ditët e këtyre strukturave, tha kryeministri Thaci, janë të numëruara, ndërsa i bëri apel Beogradit të mos strehoje vrasësit e policit të Kosovës dhe të respektojë fletë arrestet ndërkombëtare.
Mediat serbe kanë raportuar se serbët janë të irituar dhe revoltuar nga kjo ndërhyrje e EULEX.