KFOR-i amerikan zhbllokon fshatrat shqiptare në veri

Mitrovicë, 14 prill - Ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë hequr disa barrikada të vendosura gjatë natës së mbrëmshme nga grupet serbe, duke zhbllokuar kështu tri fshatrat me shqiptarë të komunës së Leposaviqit.
Amerikanët me makinerinë e tyre janë duke punuar me intensitet, përderisa dhjetëra serbë janë tubuar në këtë vend dhe po vëzhgojnë situatën të qetë.
Lajmin e konfirmojnë edhe disa nga banorët e këtyre fshatrave, të cilët kanë dashur tju ndihmojnë ushtarëve të KFOR-it në zhbllokimin e kësaj rruge, por siç thanë ata, këta të fundit nuk kanë lejuar një gjë të tillë.
Largimin e barrikadave nga KFOR-i në rrugën që të shpie për tri fshatra shqiptare të Leposaviqit e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë.
KFOR-i me makinerinë e tij është duke i larguar barrikadat, që janë vendosur nga grupe serbësh, në rrugën që të shpie për në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Sipas tij, në atë pjesë ku është duke punuar KFOR-i, situata është e qetë dhe nuk ka asnjë qytetar të tubuar.
/rtk/