24 Dhjetor 2024

KFOR-EULEX-FSK mbajn ushtrim te përbashkët “Skifteri i Ballkanit”

Prishtinë, 30 qershor - Sot njësitet e KFOR-it dhe EULEX-it do të kryejnë ushtrimin e rregullt dhe të përbashkët fushor “Skifteri i Ballkanit” në Kampin Vrellë.

Pjesa e dytë e ushtrimit do të mbahet në të njëjtën kohë në aeroportin e Gjakovës.

Për herë të parë në traditën e “Skifterit të Ballkanit”, njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrin pjesë në ushtrim me kompetenca të definuara zyrtarisht. Kjo organizatë do të kontribuojë në operacionet e mbrojtjes civile siç janë operacionet e zjarrfikjes, operacionet e kërkim-shpëtimit, operacionet e evakuimit mjekësor, operacionet për mënjanimin e lëndëve plasëse si dhe në operacionet për menaxhimin me materie të rrezikshme.  

Qëllimi kryesor i këtij ushtrimi në traditën e “Skifterit të Ballkanit” është që të forcohet edhe më shumë bashkëpunimi në mes të EULEX-it dhe KFOR-it.

Kjo do të realizohet përmes trajnimit të procedurave standarde operacionale siç janë komanda e përbashkët, kontrolli ose komunikimi.

Njësitet e FSK-së do të marrin pjesë si forca për reagim në raste të krizave të cilat reagojnë në raste të fatkeqësive të mundshme natyrore, në raste të fatkeqësive të tjera dhe raste të tjera emergjente.

Përvoja e fituar pas përfundimit të detyrave të përcaktuara për FSK-në gjatë këtij ushtrimi pritet të kontribuojë në rritjen e kapacitetve themelore të FSKsë, posaçërisht pas përfundimit të trajnimit në një kontekst shumëkombësh.

Qëllimi tjetër i këtij operacioni trajnues është që t’i ndihmohet kësaj organizate t’i arrijë Kapacitetet e Plota Operacionale (KPO).

Skenari themelor i ushtrimit të radhës “Skifteri i Ballkanit” bazohet në supozimin se në pjesën qendrore të Kosovës ka ndodhur një tërmet i fuqishëm, i cili ka pasur ndikim të konsiderueshëm jo vetëm në infrastrukturën e këtij rajoni por edhe në një aeroport të rëndësishëm ku janë rrënuar ndërtesat dhe ku ka pasur shumë viktima, si pasojë e kësaj fatkeqësie.

Së bashku me  KFOR-in dhe EULEX-in, FSK do të jetë në vendin e ngjarjes  dhe do të kryejë operacione të kërkim-shpëtimit si dhe të evakuimit.

Forca e Sigurisë së Kosovës do të merret edhe me kërcënimet e shkaktuara nga materiet e rrezikshme si dhe është e përgatitur për operacione të zjarrfikjes në po këtë rajon.

Përveç operacioneve të shpëtimit, EULEX-i dhe KFOR-i mbajnë përgjegjësinë për t’u angazhuar në trazirat e shkaktuara nga plaçkitësit dhe ekstremistët. Ky “skenar i aeroportit”, si pjesë e “Skifterit të Ballkanit” do të realizohet në aeroportin e Gjakovës.  

Pjesa e ushtrimit e cila do të kryhet në Kampin Vrellë si dhe aktivitetet në Gjakovë do të ndodhin në të njëjtën kohë. Për këtë arsye, do të ketë prononcim për media vetëm në Kampin Vrellë.

Aktivitetet në Kampin Vrellë do të përbëhen nga situata të ndryshme, gjithashtu. Sipas traditës së “Skifterit të Ballkanit”, pas tërmetit të fuqishëm, pasojnë demonstrata dhe trazira të dhunshme.

Njësoj sikur në aeroportin në rajonin e Gjakovës, edhe në “zonën urbane” të Kampit Vrellë plaçkitësit dhe ekstremistët do të përpiqen  të përfitojnë nga fatkeqësia dhe do të nisen për të sulmuar ndërtesën e komunës në Vrellë.

Forcat e EULEX-it e ruajnë këtë ndërtesë por ato mposhten nga numri gjithnjë e më i madh i turmës së demonstruesve.

EULEX-i kërkon ndihmë nga KFOR-i. Vala e parë e ushtarëve të KFOR-it arrin me helikopterë për të mbështetur forcën ndërkombëtare policore.

Megjithatë, situata përkeqësohet për shkak të turmës gjithnjë e më të fuqishme dhe më agresive.

Në fund, Komandanti i KFOR-it e urdhëron njësitin e tij taktik rezervë të mbështesë forcat e sulmuara policore dhe ushtarake,  të cilat janë duke e ruajtur ndërtesën e komunës së Vrellës.

Në fund, forcat elite portugeze të KFOR-it arrijnë me helikopter si valë e dytë dhe e marrin situatën nën kontroll.

Roli i njësiteve të FSK-së të cilat marrin pjesë në këtë ushtrim filimisht do të përbëhet nga detyrat për mënjanimin e lëndëve plasëse.

Gjatë përleshjeve, është gjetur një objekt i pashpërthyer dhe ky objekt duhet të çaktivizohet. Ekipi i FSK-së intervenon dhe do të kryejë me sukses këtë detyrë.

Së dyti, një veture i është vënë zjarri. Sërish, FSK me njësitin për fikjen e zjarrit do të alarmohet dhe do të arrijë në vendngjarje për të intervenuar me sukses në këtë rast të zjarrvënies.

Përveç kësaj, planifikohet që FSK të ndihmojë edhe në operacionet e evakuimit mjekësor.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)