Këshilli Prokurorial shpall konkurs për anëtarë të këtij institucioni
Prishtinë, 10 nëntor - Është mbajtur takimi i njëqindetetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, morën vendim që të shpallen zgjedhjet për anëtarë të KPK-së, nga radhët e prokurorëve, për shtatë prokuroritë Themelore, dhe për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, për Prokurorin e Apelit, nuk do të hapet konkursi, pasi që anëtari i KPK-së, nga kjo prokurori është i zgjedhur në bazë të dispozitave të njëjta sikur që e parasheh Ligji i ri.
Po ashtu, anëtarët e KPK-së, diskutuan për rregulloren e cila rregullon procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ata diskutuan për kriteret, si dhe për përzgjedhjen e anëtarëve prokuror në KPK.
Gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së, kanë nxjerrë udhëzues për përfaqësimin gjinor dhe etnik në KPK, i cili udhëzues është për zbatimin e kësaj Rregulloreje dhe do të jetë pjesë ë kësaj.
Vlen të theksohet se po në këtë takim anëtarët e KPK-së, themeluan Komisionin Zgjedhor, i cili do të merret me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për anëtarët e rinj të KPK-së, gjatë gjithë këtij procesi.
Për Kryesues të Komisionit Zgjedhor anëtarët e KPK-së, zgjodhën Florent Muçaj, nga Këshilli Prokurorial. Ndërsa, për anëtarë të këtij komisioni caktuan, zëvendëskryeprokurorja Sevdije Morina, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe Valdrin Krasniqi, nga sekretariati i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërkaq, zëvendësi i Kryesuesit të Komisionit Zgjedhor u caktua, Bajram Ukaj, nga KPK-ja, zëvendësi i prokurores Sevdije Morina do të jetë prokurori Besim Kelmendi, si dhe zëvendës i Valdrin Krasniqit do të jetë Merita Gaka.
Zgjedhjet do të mbahen gjatë konferencës vjetore të prokurorëve që do të mbahet më 5 dhjetor 2015.