Këshilli Gjyqësor dënon ashpër djegien e veturave zyrtare
Prishtinë, 21 dhjetor - Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas takimi që sot pati me Kryetarin e Gjykatës Themelore te Prishtinës, Hamdi Ibrahimi u njoftua me për së afërmi në lidhje me vënien e zjarrit veturës së Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila ka qenë në përdorim nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës shprehet i indinjuar dhe dënon ashpër këtë akt qyqar si një lloj mekanizmi shantazhues për tu zmbrapsur nga vënia e drejtësisë. Ky dhe aktet e një jave më herët nuk do të zmbrapsin asnjë nga gjyqtarët e Republikës se Kosovës në mbrojtjen e Kushtetutës, ligjit dhe rendit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i bënë thirrje, të gjitha organeve kompetente që ky akt i cili ndodhi natën e kësaj të shtune në Podujevë, sikur dhe djegia e dy veturave tjera zyrtare rreth një javë me parë, njëra e Gjykatës së Apelit e djegur në Prizren, ndërsa tjetra e Gjykatës Themelore në Pejë, të ndriçohen sa më shpejt dhe autoret të vihen para drejtësisë. Demolimi dhe shkatërrimi i pasurisë publike është i pa pranueshëm dhe i dënueshëm.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se këto akte nga kushdo qofshin bërë dhe për çfarëdo motivi të jenë kryer, nuk do të ndikojnë në punën e gjyqtarëve kosovar, të cilët do të jenë përherë në shërbim të drejtësisë.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës inkurajon gjykatat që të vazhdojnë ti kryejnë obligimet e veta, me përgjegjësi te lartë profesionale e morale, duke ndarë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe efikase, njësoj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ky Këshill, edhe njëherë shpreh përkushtimin e tij në ndërtimin e një gjyqësori të pavarur, të pa anshëm, të pa ndikuar politikisht dhe të aftë për ti kryer me përpikëri obligimet e veta ligjore dhe kushtetuese.