Kërkohet zbatimi i marrëveshjes së IBM për lirinë e lëvizjes
Bruksel, 20 mars - Në Bruksel, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), është mbajtur takimi i radhës, ku delegacionin e Kosovës e ka kryesuar zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e zëvendëskryeministres Tahiri në këtë takim dy ditorë të ndërmjetësuar nga BE-ja, është konstatuar se zbatimi i marrëveshjes në pikëkalimet kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë është duke shkuar mirë, por duhet angazhim shtesë për tu avancuar edhe më tej zbatimi i saj.
Në kuadër të kësaj është arritur pajtueshmëria në mes të palëve që informatat doganore të shkëmbehen përmes projektit SEED të BE-së, i dizajnuar për të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.
Bashkëpunim në këtë projekt për njoftimet mbi para-arritjen e mallrave, kanë të gjitha vendet e rajonit mes vete dhe tani e tutje me dakordimin e arritur në këtë takim, do të kenë edhe Kosova dhe Serbia.
Po ashtu kanë vazhduar diskutimet për fillimin e ndërtimit të pikëkalimeve të përhershme të IBM-it, me ç rast është arritur pajtimi që gjatë muajit mars të organizohen vizitat e përbashkëta në lokacionet ku do të ndërtohen këto objekte dhe më pas kompania e kontraktuar nga BE-ja për kryerjen e punimeve të ketë mundësi që sa më parë të fillojë me punë konkrete në terren.
Në këtë takim gjithashtu është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka ngritur problemin e lëvizjes së lirë në pjesën veriore dhe ka kërkuar adresim urgjent dhe po ashtu ka kërkuar që zbatimi i marrëveshjes të bëhet në të gjitha pikëkalimet kufitare me Serbinë, duke i respektuar standardet dhe praktikat e njëjta siç i parasheh marrëveshja.
Është diskutuar edhe për bashkëpunimin e autoriteteve të veterinës dhe ushqimit të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe gjetja e mundësive për tejkalimin e problemeve në eksport-import të produkteve me origjinë shtazore në mes të dy vendeve.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në këtë takim ishte shoqëruar nga Dren Zeka, këshilltar i lartë politik i Zëvendëskryeministres, Fisnik Rexhepi, këshilltar politik dhe Koordinator kombëtar për zbatimin e IBM-it, Qemajl Marmullakaj nga Zyra për Planifikim Strategjik, Shaban Guda, ndihmës Drejtor për Polici Kufitare, Valdet Gjinovci, Kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe Bajram Rexha, ndihmës Drejtor i Doganave të Kosovës.