27 Dhjetor 2024

Kërkohet themelimi i Gjykatës Speciale për krimin e organizuar

Gjilan, 19 janar - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka organizuar të enjten në Gjilan, një tryezë me temën “Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme, pengesë për zhvillimin e Kosovës”, ku pjesëmarrësit kanë theksuar nevojën e kompletimit të pakos së ligjeve që luftojnë dukuritë negative, si korrupsioni, krimi i organizuar, etj.

Një ide që në përgjithësi ka marrë fokusin e debatit ka qenë themelimi i Gjykatës Speciale që do të merret me rastet e krimit të organizuar.

Fillimisht, panelistët kanë folur për procesin e hartimit të ligjeve, si dhe kanë prezantuar zbatimin aktivitetet në luftimin e krimit të organizuar.

Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa ka thënë se me gjithë ekzistimin e ligjeve aktuale, luftimi i kësaj dukurie kërkon nxjerrjen edhe të ligjeve tjera.

Ai ndër tjera ka folur edhe për elementet që gjenerojnë krimin e organizuar dhe pasurimin e paligjshëm.

“Baza e ulët ekonomike konsiderohet si një nga gjeneratorët kryesorë të pasurimit të paligjshëm, e me këtë lidhet edhe dukuria e korrupsionit”, ka thënë panelisti Mustafa, ndërkohë ka shtuar se për luftimin e këtyre fenomeneve, shteti duhet të krijojë mekanizma të kontrollit.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se disa ligje antikorrupsion janë aprovuar vitin e kaluar. Ai ka thënë se kërkohen mekanizma konkret në luftë kundër krimit të organizuar.

“Në mënyrë që të luftohen këto dukuri, kërkohet edhe themelimi i Gjykatës Speciale, pastaj forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional, konfiskimi i pasurisë së paligjshme, etj”, ka thënë Zeka.

Ndërkohë, panelisti tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht anëtar i Komisionit parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, Armend Zemaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me mungesën e vullnetit politik për ta kompletuar pakon e ligjeve që luftojnë krimin e organizuar, njëkohësisht sipas tij, mungon vullneti edhe për luftimin e këtyre dukurive.

“Duhet pasur vullnet politik. Nëse në institucione ka njerëz që nuk i kanë duart e pastra, atëherë edhe gjyqësia do të ngec”, ka thënë deputeti Zemaj.

Panelistja tjetër, drejtoresha e Policisë për rajonin e Gjilanit, Elmina Mahmuti ka vënë në pah pengesat në praktikë, kjo si pasojë e mungesës së ligjeve adekuate.

Ndërkaq, sa i përket luftimit në praktikë të krimit të organizuar, kanë folur prokurori Agron Uka dhe kryetari i Gjykatës Komunale, Zyhdi Haziri.

Prokurori Uka ka thënë se gjatë vitit 2011 janë zgjidhur tre vepra penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, e që sipas tijm përgjegjës është misioni i EULEX-it. “Gjatë vitit 2011 kanë qenë 29 raste të keqpërdorimeve, 9 janë zgjidhur, 9 janë deleguar në gjykata tjera, ndërsa të tjerat janë nën hetime. Ndërkohë, 3 raste kanë qenë me krimin e organizuar”, ka thënë Uka.

Ndërsa kryetari i Gjykatës së Qarkut, Zyhdi Gashi ka folur më shumë për nevojën e reformimit të sistemit gjyqësor, e që sipas tij do të fillojë më 1 janar 2013. Edhe Gashi e ka parë si të arsyeshme themelimin e një Gjykate Speciale që do të merrej me rastet e krimit të organizuar.

Ndërkohë, pjesëmarrësit tjerë kanë shfaqur interesimin kryesisht në lidhje me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Nga debati është kërkuar që pakoja e ligjeve antikorrupsion të kompletohet sa më shpejtë, ndërkohë është kërkuar po ashtu përkushtim më i madh i institucioneve në luftë kundër këtyre dukurive.

Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të projektit “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion në Kosovë” të mbështetur nga Ambasada Britanike. Ligjet të cilat do të jenë objektiv i avokimit tonë janë: Ligji kundër krimit të organizuar dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)