Kërkohet të izolohen grupet kriminale dhe ekstremistët në veri
Prishtinë, 4 nëntor - Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës kanë dënuar incidentet e shkaktuara nga grupet ekstremiste serbe në veri të qytetit, që kanë penguar mbajtjen normale të zgjedhjeve lokale atje.
Në ndërkohë është përshëndetur mbarëvajtja e zgjedhjeve në jug të qytetit, ku nuk është shënuar asnjë incident.
Ecuria e zgjedhjeve si dhe gjendja e sigurisë ishin temat kryesore në takimin e Komitetit lokal të sigurisë që u mbajt të hënën në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Situata e sigurisë në javën e kaluar u vlerësua kryesisht e qetë, me përjashtim të ditës së diel kur grupe ekstremiste serbe penguan zhvillimin normal të zgjedhjeve lokale që u zhvilluan për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se vazhdimisht nëpër takimet e këtilla kanë paralajmëruar për një skenar të tillë ditën e zgjedhjeve në veri.
Duke parë aktivitetet e grupeve ekstremiste kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë muajit të kaluar janë parashikuar incidente të tilla, mirëpo strukturat e sigurisë, në radhë të parë ato ndërkombëtare nuk kanë qenë të përgatitura për tu përballur me këtë situatë.
Ai tha se në veri duhet prani më e madhe dhe vendosmëri më e madhe e strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohen incidentet.
Kemi parë vullnetin e qytetarëve për të votuar, prandaj vlerësojmë se strukturat e sigurisë duhet të krijojnë kushte për një të tillë dhe të izolojnë grupet kriminale dhe ekstremistë që janë duke vepruar atje.
Në anën tjetër u përshëndet mbarëvajtja e zgjedhjeve në jug të qytetit ku nuk ka pasur asnjë problem serioz.