Kërkohet shtimi i masave të sigurisë gjatë fushatës zgjedhore në veri
Mitrovicë, 9 shtator - Situata e sigurisë gjatës javës së fundit në veri të Mitrovicës, ka qenë e qetë por jo edhe e qëndrueshme. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e rregullt të Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se ka pasur disa incidente, të cilat i kanë shqetësuar qytetarët, por që nuk kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme. Në këtë kontekst, përmendi disa rrahje masive që kanë ndodhur ndërmjet grupeve të ndryshme serbe në veri, ku ka pasur edhe të lënduar.
Ai shtroi nevojën që strukturat e sigurisë të shtojnë masat e sigurisë gjatë kohës së fushatës zgjedhore në veri, meqë disa grupe ekstremiste janë duke tentuar që të krijojnë probleme për mbajtjen e tyre.
Janë parë disa afishe ku bëhet apel që qytetarët serbë mos të dalin në zgjedhje. Kërkojmë nga strukturat e rendit që të marrin masa dhe të pengojnë këto grupe që me incidente duan të pengojnë normalizimin e jetës në veri.
Në këtë takim, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka ripërsëritur kërkesën për largimin e barrikadës mbi urën e Ibrit, e cila është duke krijuar një imazh të keq dhe duke penguar lëvizjen e lirë.