Kërkohet shqiptim më i madh i masave dhe dënimeve alternative
Pejë, 31 janar - Në vazhdim të fushatës sensibilizuese lidhur me kompetencat dhe punën e Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) të Ministrisë së Drejtësisë, dje drejtoria regjionale e këtij shërbimi në Pejë, ka zhvilluar takime me Odën e Avokateve të regjionit të Pejës dhe Prokurorinë Themelore të këtij regjioni.
Në këto takim ka marrë pjesë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e SHSK-së, Metije Ademi, ndërsa është biseduar për përgjegjësitë dhe obligimet e Shërbimit Sprovues të Kosovës, sipas Legjislacionit Penal, si dhe rëndësia dhe qëllimi i shqiptimit të masave dhe dënimeve alternative, si masa me risocializuese dhe më të dobishme për shoqërinë e shtetin.
Në takim me Kryetarin e Odës së Avokatëve të regjionit të Pejës, Arianit Nikqin, veç tjerash u bisedua për mundësin e shtimit të kërkesave për masa dhe dënime alternative nga avokatët, çdo herë kur ka bazë ligjore, gjatë përfaqësimit të palëve në procedura gjyqësore.
Edhe në takim me Zëvendësprokuroren e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lirije Morina, u bisedua për mundësin e thëllimit të bashkëpunimit në mes të SHSK-së dhe Prokurorisë, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës në sistemin e drejtësisë.
Shërbimi Sprovues i Kosovës, përkatësisht Shërbimi për Ekzekutimin e Dënimeve Alternative dhe Riintegrimin Shoqëror të personave të dënuar, është përgjegjës për Ekzekutimin e dënimeve dhe masave alternative, mbikëqyrjen, risocializimin, riintegrimin dhe rehabilitimin e të gjithë personave që kanë kryer vepra penale të ndëshkueshme sipas ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.