Kërkohet paraburgim kundër katër të pandehurve për rastin e grabitjes në market
Prishtinë, 18 korrik - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, kundër të pandehurve: S.K., D.S., G.P., dhe L.B.
Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 12.06.2022 rreth orës 21:35 në rrugën "Besim Shala" në Prizren, saktësisht në një market pronë e të dëmtuarit G.B., nga fshati Hoqë e Qytetit, në bashkëkryerje përmes armës, përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër - të dëmtuarave Y.B., dhe F.V., (punëtore të marketit në fjalë), me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë që futen në market, me ç’rast i pandehuri S.K., ia drejton armën e zjarrit – pistoletën punëtoreve të marketit, derisa i pandehuri G.P., së bashku me të pandehurit L.B., dhe D.S., shfrytëzojnë momentin e volitshëm, me ç’rast arrijnë t’i marrin nga arka e marketit shumën e parave prej 600 euro (gjashtëqind euro) dhe largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të rrugës së Nashecit.
Në këtë mënyrë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
â