Kërkohet llogaridhënie nga shteti për shkeljen e të drejtave të njeriut
Prishtinë, 7 shtator - Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët nëpërmjet Iniciativës Strategjike Gjyqësore kërkon drejtësi për qytetarët e Kosovës kur të drejtat e tyre shkelen nga institucionet e sistemit të drejtësisë.
Me datën 7 shtator, 2015 është caktuar seancë gjyqësore për të shqyrtuar nëse ishin shkelur të drejtat e fotoreporterit Vedat Xhymshiti, i cili u godit në mënyrë brutale nga pjesëtari i policisë së Kosovës.
Me këtë rast pas përfundimit të seancës Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët do të organizojë një konferencë për shtyp.
Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët 3 vite me parë ka ngritur padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës në emër të gazetarit Vedat Xhymshiti kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kosovës.
Xhymshiti pësoi një shkelje të të drejtave themelore të njeriut, kur ai u rrah brutalisht nga një anëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa mbulonte protestat tek Dheu i Bardhë më 14 janar 2012.
Përmes kësaj padie, është kërkuar që të konstatohet nëse janë shkelur një mori të drejtash individuale të njeriut të garantuara me Kushtetutë, si dhe të bëhet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga kjo shkelje.
Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët fton të gjithë përfaqësuesit e interesuar të mediave të përcjellin këtë seancë dhe të jenë pjesë e konferencës për shtyp. Z. Artan Qerkini nga shoqëria e avokatëve Sejdiu & Qerkini do ti drejtohet mediave në këtë Konferencë Shtypi.