Kërkohet lirimi i Adea Batushës, Egzon Halitit, Atdhe Arifit e Frashër Krasniqit
Prishtinë, 21 shkurt - Sot në mesditë, një grup i studentëve e profesorëve, para Bibliotekës Kombëtare, kanë vendosur një baner, me të cilin i bëhet thirrje Gjykatës së Apelit - që do të mbaj seancën me 22 shkurt për 4 studentët aktivistë, Adea Batushën, Egzon Halitin, Atdhe Arifin, Frashër Krasniqin - të Lirojë Studentët! Në aktivitet u prononcuan studentja, Arlinda Gashi, dhe profesori në fakultetin e Arkitekturës, Egzon Bajraktari.
Në prononcim Arlinda Gashi ndër të tjera tha “Gjykimi ndaj katër aktivistëve nuk është vetëm gjykim ndaj tyre por është i të gjithë neve si shoqëri. Nuk është veç çështje e tyre si individë, as veç e një subjekti politik, këtë rast Vetëvendosje-s , por e çdo qytetari në Republikën e Kosovës.”
Studentja u bëri thirrje edhe organizatave tjera studentore, atyre jo-qeveritare, e nismave qyetare që të reagojnë e të dalin në mbrojtje të studentëve, aktivistë.
“Sot është momenti i fundit kur organizatat studentore, nismat qytetare, organizata jo qeveritare do të duhej të reagonin në mbrojtje të studentit e qytetarit të Republikës së Kosovës. Ne si qytetarë, si studentë, si njerëz konsiderojmë se e kemi për obligim të reagojmë deri në vendosjen e një sistemi të drejtë. Jemi këtu që të kërkojmë drejtësi e liri për studentët” kështu tha në fund ajo.
Ndërkaq profesori Egzon Bajraktari tha “Në emër të profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët nuk pajtohen me dënimin e studentëve tanë jemi mbledhur këtu që të shprehim mospranimin tonë me vendimin e gjykatës për dënimin e tyre, dhe i bëjmë thirrje gjyqësorit që të anulojë këtë vendim të padrejtë”.
“Ka vend edhe për revoltë e protestë. Kështu që edhe në rastin hipotetik kur studentët tanë mund të shprehin revoltën e tyre shteti dhe gjyqësori ynë, do duhej të tregonte aftësi që ta pranojë e ta paqetojë atë revoltë, e të mos e shkelmojë rininë me denime të pajustifikuara e drakonike” shtoi ai më tutje.
Baneri kishte edhe zingjirë për të simbolizuar shkeljen e cungimin e lirisë, që po u bëhet studentëve.
Ky aktivitet ishte kurorëzim i disa aktiviteteve radhazi të studentëve, gjatë ditës së djeshme, ku në shumë vende u vendosën banera me kërkesën për Lirimin e Studentëve. Këto postera u vendosën në fakultetet e Arkitekturës, Bujqësisë, Muzikës, Juridikut, në Konvikte, e në Qendrat Studentore."