Kërkohet largimi i strukturave të Serbisë brenda Kosovës
Mitrovicë, 5 nëntor - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës reagojnë kundër pranisë së njerëzve të uniformuar të organizatës Civilna Zastita (Mbrojtja Civile), të cilët të shtunën dhe të dielën janë dukur në veri të qytetit.
Nga strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë kërkohet që të ndërmarrin masa dhe të mos lejojnë një gjë të tillë që paraqet ndërhyrje të Serbisë në Kosovë.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë se strukturat e sigurisë, ato vendore dhe ndërkombëtare duhet të jenë shumë të vendosura dhe të mos lejojnë defilimin e strukturave të tilla ilegale brenda territorit të Kosovës. Kjo është një ndërhyrje që nuk duhet të lejohet asessi.
Për këtë rast, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, sqaroi se të uniformuarit janë dukur në afërsi të Poletit, mandej në afërsi të Rudarit si dhe barrikadës në urën kryesore të Ibrit.
Ata kanë shoqëruar një delegacion të komunave të Serbisë, të cilët kanë vizituar qytetin e Mitrovicës.
Bala tha se prania e tyre, megjithëse ka kaluar pa incidente, ka shqetësuar qytetarët joserbë në veri qytetit. Theksoi se situata nuk ka eskaluar për shkak të maturisë së qytetarëve shqiptarë, të cilët megjithatë kanë qenë shumë të tensionuar për shkak të këtij provokimi të hapur.
Ai përmendi edhe rastin e kidnapimit të një qytetari serb në veri nga disa civilë, që dyshohet të jenë të strukturave të Serbisë.
Qytetari i arrestuar më pas është dënuar në Gjykatën e Kralevës. Ky rast paraqet gjithashtu një ndërhyrje të Serbisë brenda Kosovës.
Bala tha se gjatë dy jave të fundit është shënuar edhe një sulm i disa qytetarëve serbë ndaj dy të rinjve shqiptarë në Lagjen e Boshnjakëve.
Në përgjithësi dy javët e fundit kanë qenë më të tensionuara për shkak të këtyre incidenteve, mirëpo që megjithatë nuk kanë ndikuar shumë në sigurinë e përgjithshme.