Kërkohet koordinim më i mirë për procesin i ri-integrimit
Prishtinë, 19 nëntor - CRP/K sot në një konferencë për media ka publikuar raportin Procesi i ri-atdhesimit dhe sfidat e ri-integrimit në Kosovë.
Kenan Tora nga CRP/K tha se procesi i ri-atdhesimit është një proces që ka ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e integrimeve Evropiane dhe veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave, procese këto që janë definuar si interes kombëtar i shtetit të Kosovës.
Kosova sipas tij ka miratuar ligjin dhe udhëzimet administrative dhe ka nënshkruar një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve për riatdhesim me shtetet përkatëse të BE, duke tentuar gjithashtu të siguroj që pas riatdhesimit kësaj kategorie të personave do tu ofrohen kushte të përshtatshme për ri-integrim.
Më tutje, ai potencoi se duke pasur parasysh se ri-integrimi është një proces shumë dimensional dhe kërkon angazhim në disa nivele të politik-bërjes dhe qeverisjes, ky raport mëton të identifikoj dhe analizoj vështirësitë në procesin e ri-integrimit mbi bazën e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në instrumentet juridike të Republikës së Kosovës dhe të trajtoj problemet praktike në drejtim të realizimit të drejtave të përcaktuara brenda sistemit.
Mirjeta Hyseni e cila prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet kryesore të raportit tha se marrëveshjet e Ri-atdhesimit përmbajnë obligime reciproke për Bashkimin Evropian dhe shtetet e treta që të bashkëpunojnë në kthimin e emigrantëve ilegal në vendet e tyre të origjinës.
Këto marrëveshje sipas saj janë pjesë të një politike më të gjerë të BE-së për kthimin. Për më tepër mjetet kryesore për implementimin e politikës së përbashkët për kthim janë njohja reciproke e vendimeve mbi largimin e shtetasve të vendeve të treta, organizimi i fluturimeve të përbashkëta etj.
Është e padiskutueshme që emigrantët ilegal gëzojnë mbrojtje të drejtave të njeriut. Neni 1 i Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut thotë: Palët Nënshkruese duhet të sigurojnë për secilin nën juridiksionin e tyre të drejtat dhe liritë e definuar në pjesën I (e cila përmban të drejtat dhe liritë) e kësaj konvente
Marrëveshjet e Ri-atdhesimit janë të kritikuara për shkak të mos respektimit të drejtave themelore të të kthyerit. Shkeljet e zakonshme për të cilat marrëveshjet e ri-atdhesimit kritikohen janë rreziku që personat të jenë subjekt i torturës ose trajtimit jo njerëzor dhe mundësia e shkeljes së principit të mos kthimit të personit në rast rreziku. Për më tepër, e drejta e emigrantit për azil mund të paragjykohet me rastin e zbatimit të marrëveshjes për ri-atdhesim, ka treguar ajo.
Sipas saj ka mungesë të informatave të sakta nga zyrat pritëse në nivelin komunal për personat e ri-atdhesuar. Rekomandohet përmirësimi i informimit nga zyrat pritëse në nivelin komunal për personat e riatdhesuar.
Edhe pse janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për ri-atdhesim me shtetet anëtare të BE-së, emigrimi drejt këtyre shteteve mbetet në shkallë shqetësuese. Rekomandohet ngritja e kapaciteteve monitoruese në nivelin nacional lidhur me nivelin e emigrimit jashtë vendit- në drejtim të shteteve të EU edhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve të ri-atdhesimit.
Ka mungesë të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe lokal të qeverisjes në këtë fushë. Rekomandohet koordinim i shtuar në mes të zyrave komunale për Komunitete dhe Kthim me Departamentin për Ri-integrim në MPB dhe komisionit Qendror për Ri-integrim.
Fëmijët të cilët lindin në shtetet prej nga riatdhesohen shpesh ndodhë të kthehen pa poseduar certifikatë ndërkombëtare të lindjes dhe pastaj hasin në probleme gjatë regjistrimit civil në Kosovë. Rekomandohet zbatimi i marrëveshjeve për riatdhesim nga resorët përgjegjës për pritjen e personave të riatdhesuar duke u siguruar që fëmijët që kanë lind në vendet prej nga janë riatdhesuar të jenë të pajisur me certifikata ndërkombëtare. Po ashtu rekomandohet koordinim më i shtuar në mes të zyrave për Komunitete dhe Kthim me Drejtorit Komunale të Arsimit dhe Ministrin e Arsimit lidhur me regjistrimin e fëmijëve të riatdhesuar në shkolla dhe posaçërisht për mësim plotësues, ka theksuar Hyseni.