Kërkohet bashkëpunimi për rritjen e sigurisë në Mitrovicë
Prishtinë, 4 shkurt - Të martën është mbajtur takimi i rregullt i Komunitetit Lokal për Siguri Publike, në të cilin është diskutuar gjendja e përgjithshme e sigurisë në Komunën e Mitrovicës.
Në këtë rast, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, paraqiti nevojën për rritjen e gjendja së sigurisë në përgjithësi, e me theks të veçantë në objektet shkollore.
Është shumë e rëndësishme që të kemi bashkëpunim, dhe që niveli i sigurisë për të gjithë qytetarët në komunën tonë të jetë me i madh, ka thënë Bahtiri.
Ndër çështjet e tjera që u diskutuan në takim, ishin edhe hetimet rreth rrëzimit të shtatores së Nënë Terezës, e që hetimet janë në përfundim e sipër, si dhe rritja e bashkëpunimit sa i përket sigurisë me komunat fqinje.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Draga, ka bërë një propozim që ndërlidhet me arritjen e një bashkëpunimi ndërkomunal, të ngrihet një qendër operative e përbashkët në Komunën e Zubin Potokut, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zvecanit, me qëllim që të punojnë se bashku personeli i këtyre komunave, të ngritët një sistem i alarmit dhe i monitorimit të përbashkët.
Po ashtu u propozua që të bëhet ngritja e një sistemi të përbashkët të trajnimit, dhe një sistem i përbashkët i intervenimit në situata emergjente.