KE vazhdon të mbështesë fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë
Prishtinë, 13 janar - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim Zyrtaren për Politika në Drejtorinë e Përgjithshëm për Zgjerim të Komisionit Evropian, Cindy Van Den Boogert e cila ka përshëndetur ri-emërimin e Ministrit Kuçi, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit Evropian.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi ka vlerësuar lart Komisionin Evropian për asistencën që po i ofrohet sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai ka njoftuar znj. Boogert me përgatitjet që janë duke u bërë për transferimin e institucioneve përkatëse në Pallatin e Drejtësisë, realizimi i të cilit është mbështetur nga Komisioni Evropian.
Misioni i këtij mandati qeverisës do të lidhet ngushtë me vazhdimin e ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, duke punuar më tutje në ngritjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe llogaridhënies të institucioneve të drejtësisë, ka thënë Kuçi.
Më tej, Ministri Kuçi ka theksuar planet konkrete në konsolidimin e infrastrukturës ligjore në fushën civile, duke u përqendruar në hartimin e kodit civil dhe rregullimin e së drejtës pronësore. Po ashtu, Kuçi ka thënë se do të ndërmerren hapat e nevojshëm për konsolidimin e mekanizmave ligjor për çështje që ndërlidhen me fushën e ekonomisë.
Në fund të takimit, znj. Boogert ka ofruar mbështetje për implementimin e planit qeverisës të Ministrisë së Drejtësisë gjatë këtij mandati.