24 Dhjetor 2024

KDI: S'ka gatishmëria për luftimin e korrupsionit dhe krimit

Prishtinë, 21 qershor - Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar të martën në Prishtinë, një tryezë me temën “Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme, pengesë për zhvillimin e Kosovës”, ku pjesëmarrësit kanë vlerësuar se përveç mungesës së disa ligjeve anti-korrupsion, vendi ynë në krahasim me vendet e rajonit, është prapa në luftimin e krimit të organizuar.

Në tryezë është potencuar nevoja e nxjerrjes së Ligjit Kundër Krimit të Organizuar dhe Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Në hapje të tryezës, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka theksuar nevojën e plotësimit të pakos së ligjeve antikorrupsion, si dhe ka kërkuar përkushtim më të madh të institucioneve në drejtim të luftimit të krimit të organizuar.

“Shteti i Kosovës sot ka nevojë për prioritete si zhvillimi ekonomik, proceset e integrimeve evropiane, por ne nuk mund t’i synojmë këto prioritete pa një veprim dhe përkushtim të
institucioneve në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Kryeziu.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka shprehur brengën e tij për nivelin e luftimit të krimit të organizuar. Sipas tij, rezultatet e luftimit të krimit të organizuar nuk janë të kënaqshme, kjo duke u krahasuar edhe me rajonin.

“Vendet në regjion janë një hap para nesh në këtë drejtim, kjo për shkak se kanë nxjerr ligje të veçanta për luftimin e krimit të organizuar”, ka thënë Hasani. Ai ka porositur se është momenti i fundit që të nxjerrët një ligj në përputhje me vendet e rajonit, në mënyrë që siç ka thënë ai t’i mundësohet shtetit për ta luftuar këtë dukuri.

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi ka folur fillimisht për implementimin e strategjisë shtetërore për luftimin e krimit të organizuar, si dhe ka përmendur
format më të shpeshta të krimit me të cilat ballafaqohet institucioni që ai drejton.

“Format më të shpeshta të krimit të organizuar janë: trafikimi me narkotikë, trafikimi me qenie njerëzore, me armë, etj”, ka thënë Maliqi në këtë tryezë. Maliqi ka përmendur po ashtu edhe zyrën për bashkëpunim ndërkombëtar, si me Interpolin dhe Europolin, zyre kjo që nga nesër do të transferohet me përgjegjësi të plota nga ndërkombëtarët tek vendorët.

Ndërkaq, George Mills, nga EULEX-i ka përmendur rolin siç ka thënë ai të rëndësishëm që shoqëria civile mund ta ketë në luftimin e krimit të organizuar.

“Nuk është problem legjislacioni, por zbatimi i tij. Në këtë aspekt, shoqëria civile ka mundësinë të jep kontribut të madh”, ka thënë Mills.

Në tryezë është folur edhe për interferimin e politikës në gjyqësor, element ky i publikuar të martën edhe në një konferencë të Transparency Internation në Berlin, ku si partnerë ka marrë pjesë edhe KDI. Panelistët kanë vlerësuar se me gjithë perceptimin, politika nuk interferon në këtë fushë.

Ndërkohë, gjatë debatit, të pranishmit megjithatë kanë folur për këtë ndikim. Deputeti i PDK-së, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, Behar Selimi ka thënë se ka interferenca të individëve nën vellon e politikës, por jo në kuptimin e partive politike.

Edhe të pranishmit tjerë kanë theksuar brengën e kësaj ndërhyrjeje, ndërkohë është kërkuar  përmbushje e legjislacionit antikorrupsion, si dhe është kërkuar përkushtim dhe vullnet politik më i madh në drejtim të luftimit të këtyre dukurive.

Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të projektit “Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion në Kosovë” të mbështetur nga Ambasada Britanike. Ligjet të cilat do të jenë
objektiv i avokimit tonë janë: Ligji kundër krimit të organizuar dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)