KDI kërkon nga deputetët mos ta miratojnë Projektligjin për Amnistinë
Prishtinë, 3 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova, është e shqetësuar me përmbajtjen e Projektligjit për Amnistinë i cili është planifikuar për miratim në lexim të parë, në seancën e nesërme plenare të Kuvendit të Kosovës.
KDI konstaton se përmbajtja e tillë e këtij Projektligji është në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe cenon sigurinë nacionale dhe interesin publik në Kosovë.
Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë si sponzoruese e këtij projektligji, po tenton që përmes këtij projektligji të amnistojë një numër të madh të personave me precedente penale që janë pjesë e strukturave politike, institucionale apo edhe në pozita të larta publike.
Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu ka paraparë që kategori të veprave penale që do ti nënshtrohen amnistisë të jenë edhe shumë vepra penale apo krime ordinere si: vjedhja, fajdeja, haraçi, etj, e të cilat kanë dëmtuar rëndë jetën e qytetarëve të Kosovës që nga paslufta e deri më tani.
Gjithashtu amnistia e veprave penale që lidhen me krimet ekonomike, janë mesazhe tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë.
Duke u nisur nga fakti se ky Projektligj, është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës dhe kundër përpjekjeve për ndërtimin e shtetit ligjor, KDI iu bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta votojnë këtë projektligj dhe të njëjtin tia kthejnë qeverisë për ripunim.