Katër të vdekur në një aksident në Prishtinë
Prishtinë, 28 korrik - Policia e Kosovës ka konfirmuar se katër persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur tek rrethrrotullimi kryesor në dalje të Prishtinës.
Të vdekur janë dy burra e dy gra, përderisa një person tjetër (mashkull) ka marrë lëndime dhe po trajtohet në spital.
“Mbrëmë, pas mesnate, rreth orës 00:57, është shkaktuar një aksident i rëndë trafiku në rrethrrotullimin kryesor në Prishtinë, rruga magjistrale Mitrovicë-Prishtinë."
"Automjeti ka rënë nga ura kryesore dhe si pasojë katër persona 2 meshkuj dhe 2 femra kanë vdekur, ndërsa edhe personi i pestë në gjendje të rëndë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Rasti është nën hetim. Ndërkohë që policia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat në trafik.