Kastrati priti në takim ministrin pa portofol Rasim Demiri
Prishtinë, 2 shkurt - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati priti në takim, për herë të parë, ministrin pa portofol në Qeverinë e vendit, Rasim Demirin.
Gjeneral Kastrati e falënderoj ministrin Demiri për vizitën njëkohësisht e njoftoj me aktivitetet, angazhimet, si dhe zhvillimin e përgjithshëm të FSK-së. Komandanti i FSK-së e njoftoj ministrin Rasim Demiri mbi rekrutimin, përfshirjen, trajnimet si dhe në përgjithësi mbi gjendjen e minoritarëve në FSK e veçanërisht mbi angazhimin e pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komunitetit boshnjak.
Komandanti i FSK-së, gjithashtu potencoj se FSK-ja është force e të gjithëve që jetojnë në Republikën e Kosovës duke shtuar se; ne jemi duke punuar që të zhvillohemi në përputhje me standardet dhe praktikat si dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret dhe gjithmonë me kriteret të barabarta për të gjithë, të rekrutojmë pjesëtarë të komunitetit pakicë që jeton në Kosovë.
Komandanti i FSK-se shfaqi gatishmërinë për të përkrahur me projekte të nevojshme në të mirë të drejtpërdrejtë të komuniteteve nëse kërkohet.
Nga ana e tij, zotëri Rasim Demiri falënderoj komandantin e FSK-së, gjeneral Kastratin për pritjen si dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur FSK-në në proceset e transformimit dhe në përgjithësi në rrugën e zhvillimit të saj.
Ministri Demiri po ashtu, u interesua rreth përqindjes së pjesëtarëve të komuniteteve në FSK, numrin e kadetëve nga komuniteti boshnjak të cilët aktualisht janë duke vijuar në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Maqedonisë, si dhe për procesin e fundit të rekrutimit për pjesëtarë të FSK-së nga shoqëria civile.
Kjo ishte vizita e parë ministrit pa portofol të qeverisë së Kosovës, zotëri Rasim Demiri, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që nga emërimi i tij në këtë detyrë.