Kastrati përgëzon policinë për efikasitet pas shpërthimit në veri
Mitrovicë, 5 shkurt - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë reaguar pas incidentit që ka ndodhur të hënën mbrëma në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku si pasojë e një shpërthimi janë lënduar dy fëmijë të komunitetit serb.
Ata kanë dënuar sulmin dhe politizimin e rastit nga drejtuesit e institucioneve paralele serbe në veri.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, përgëzoi efikasitetin e Policisë së Kosovës që ka ndërhyrë shpejt dhe ka bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit, që është një person i komunitetit serb, fqinj me familjen e dëmtuar.
Efikasiteti i organeve te rendit është përgjigja më e mirë që mund tu jepet përpjekjeve të strukturave ilegale për të politizuar raste të ndjeshme sikur ky i fundit, ku janë lënduar dy fëmijë.
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili gjatë natës ka qëndruar në Lagjen e Boshnjakëve, tha se situata ka qenë shumë e tensionuar.
Banorët kanë qëndruar zgjuar gjatë gjithë natës nga frika e eskalimit të situatës.
Ai tha se strukturat e rendit duhet të shtojnë masat e sigurisë, meqë ditëve të fundit ka një valë incidentesh në veri, të cilat e kanë bërë shumë të ndjeshme situatën.