Kapet grupi kriminal i përbërë nga shqiptarë, serbë e hungarezë
Beograd, 11 maj - Ministri serb i Policisë, Ivica Daçiq, ka bërë të ditur se është arrestuar një grup kriminal nëntë anëtarësh, që ka trafikuar shqiptarë nga Kosova nëpër territorin e Serbisë, në drejtim të vendeve të BE-së, njofton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Sipas Ministrit serb, Daçiq, organizator i këtij grupi ishte Sadat Uka nga Podujeva, kurse bashkorganizatorë Sabahudin Ryfi nga Konçuli afër Bujanovcit, dhe se pjesë e grupit kanë qenë edhe hungarezë e serbë. Me rastin e arrestimit të këtij grupi në Suboticë, janë gjetur edhe imigrantë ilegalë, që synonin të kalonin në Hungari.
Ai, sipas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, ka saktësuar se personat janë transportuar ilegalisht nga Kosova në Serbi, nëpër autostradë, deri në Suboticë, e pastaj, me rrugë ujore nëpër lumin Tisa në rajonin e vendkalimit kufitar Horgosh e Kelebia në Hungari.
Sipas fjalëve të tij, bëhet fjalë për grup kriminal të organizuar mirë, i cili, sipas të dhënave deri tash të grumbulluara, kanë realizuar fitime nga disa dhjeta mijë euro.
Daçiq ka theksuar se ky rast tregon për domosdonë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe ka përmendur se policia serbe për këtë grup ka pasur informata edhe nga Austria.
A,i ka theksuar se aksioni ka zgjatur disa muaj dhe ka rikujtuar se në lumin Tisa, në anën hungareze, vjet ishte mbytur një grup shqiptarësh, të cilët kishin kaluar ilegalisht nga Serbia në atë shtet.