Kapet afër 1 kg marihuanë në pikëkalimin e Vërmicës
Prishtinë, 13 prill - Dje njësitet e Doganës në bashkëpunim me policinë Kufitare kanë arritur të kapin 1 kg substance narkotike të llojit marihuanë gjatë tentimit për tu futur në Kosovë.
Adriatik Stavileci zëdhënës i doganave ka theksuar se gjatë kontrolleve rutinore, dje në orët e pasdites në Vërmicë në vijën e parë të kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës është selektuar për kontroll vetura e tipit Ford Mondeo me targa të Kosovës që drejtohej nga një shtetas i Kosovës.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga ekipi i specializuar i Doganës në vijën e dytë së bashku me zyrtaret e policisë në bagazh, saktësisht në anën e majtë të bagazhit mbi anësoret e gomave janë gjetur dy qese me substance narkotike të llojit marihuanë .
- Sasia e lëndës narkotike ishte 922.7 gram -2 qese (paketime).
Personi i dyshuar sipas Stavilecit është arrestuar nga ana e Policisë derisa substanca narkotike si dhe rasti janë proceduar në Polici për hetime të mëtejme.