26 Dhjetor 2024

Kanë kaluar 23 vite, ndërsa janë më shumë se 1,600 të zhdukur në Kosovë

Prishtinë, 30 gusht - Kanë kaluar më shumë se 23 vite që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1,600 personave të zhdukur janë ende në pritje të përgjigjeve për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Këto familje janë lënë në harresë, kanë ngecur në të kaluarën, në pamundësi që të mbajnë zi, të planifikojnë apo të shikojnë kah e ardhmja.

Pandemia e COVID-19 vetëm sa e ka rënduar barrën që familjet është dashur ta mbartin për një kohë të gjatë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), si gjithmonë, u ka qëndruar pranë familjarëve të personave të zhdukur, duke u ofruar mbështetje në vazhdimësi, përfshirë në aspektin psikosocial, në përpjekje për t’ua lehtësuar vuajtjet.

Megjithatë, është mbështetja dhe bashkëndjesia e shoqërisë si tërësi, dhe e autoriteteve dhe komuniteteve të tyre në veçanti, ajo që është tejet e rëndësishme për t'u ndihmuar atyre që ta përballojnë dhimbjen.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, Shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë, z. Agim Gashi, tha: “Familjarët e personave të zhdukur kanë pritur lajme për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre qe shumë vite. Sikur në të kaluarën, edhe sivjet, ne i bëjmë thirrje tërë shoqërisë dhe autoriteteve që të mendojnë përsëri se çfarë tjetër mund të bëjnë për t’i ngushëlluar familjarët e personave të zhdukur në një situatë të rënduar nga pandemia."

Si vlerësim pozitiv, Gashi theksoi përparimin e dukshëm që është arritur në zbulimin e varrezave të reja gjatë vitit të kaluar dhe i përgëzoi autoritetet për punën e tyre të vazhdueshme, duke njoftuar se këtë vit është zbardhur fati i 13 personave. “Është thelbësore që të shfrytëzohen kontributet e të gjitha palëve dhe akterëve të përfshirë në proces për të arritur rezultate më të mira", tha z. Gashi.

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, ndërsa shtetet janë të obliguara që atyre t’u ofrojnë përgjigje dhe mbështetje. Si përherë, KNKK-ja është e gatshme t’i mbështesë autoritetet në përmbushjen e përgjegjësive të tyre në këtë aspekt dhe i inkurajon ato që çështjen ekskluzivisht humanitare të personave të zhdukur ta vënë në rend të parë.

Në anën tjetër, është momenti i fundit që të paraqitet kushdo që mund të ketë informata të cilat mund të çojnë në zbardhjen apo zgjidhjen e cilitdo rast të cilitdo personi të zhdukur. Koha nuk e shëron agoninë e familjarëve të personave të zhdukur, por atë e mundëson vetëm pranimi i përgjigjeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)