Kadri Veseli dëshmon për rastin Bllaca II
Prishtinë, 20 qershor - Kadri Veseli do ti drejtohet të mërkurën në mëngjes Gjykatës. Ish-shefi i SHIK-ut pritet të jetë dëshmitar i radhës në procesin gjyqësor Bllaca II.
Se ai do të dëshmojë në këtë proces e konfirmojnë edhe avokatët e të akuzuarve. Ramiz Krasniqi, që në këtë proces mbron Driton Hajdarin, konfirmoi se Kadri Veseli do të jetë dëshmitar i radhës, shkruan sot gazeta Express.
Po, të mërkurën është Veseli dëshmitar, ka theksuar Krasniqi për Express. Pritet që ish-shefin e SHIK-ut ta marrin në pyetje prokurorja e rastit dhe avokatët mbrojtës.
Veseli është ftuar si dëshmitar në këtë rast për të treguar për veprimtarinë e organizatës SHIK, për të cilën dëshmitari bashkëpunues Nazim Bllaca ka hedhur akuza të rënda.
Nga deklarata publike e tij gjashtë personat po akuzohen për vrasje dhe tentim vrasje, në emër të kësaj organizate, shkruan Express. Pritet që Veseli të sqarojë të gjitha pretendimet e Bllacës se SHIK-u ka paguar njerëz për të kryer vrasje.
Edhe dëshmitari Nazim Bllaca në dëshminë e tij ka thënë se si agjent i SHIK-ut ka marrë rrogë dhe ka kryer urdhrat që ka marrë nga eprorët e tij. Në këtë rast, përveç të akuzuarve, ai përmend si epror edhe deputetin e PDK-së, Azem Sylën. Seanca gjyqësore fillon në orën dhjetë dhe mbahet në objektin e Gjykatës Supreme.
Gjashtë të akuzuarit, Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka, akuzohen për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen ndaj Adem Salihajt, ish-kryetar i Ferizajt dhe Ismet Arifit.