Kadetët e FSK-së treguan shkathtësi në Kampin e avancuar fushor 2014
Prishtinë, 23 maj - Ministri i FSK-së Agim Çeku ka vizituar sot aktivitetet e 33 pjesëtarëve të FSK-së në Ushtrimin Fushor Kampi i avancuar fushor 2014, të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare (QSU), të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), në fshatin Zhegoc të Komunës së Gjilanit.
Fillimisht gjatë kësaj vizite para të pranishmeve foli komandanti i QSU-së kapiten Avni Kicina i cili ua tregoi planin e detajuar të Ushtrimit Fushor Kampi i avancuar fushor 2014 krerëve të lartë të FSK-së si dhe detyrat dhe fazat e operacionit të mbajtur në Zhegoc të Gjilanit duke përmendur; planifikimin dhe përgatitjen, dislokimin, realizimin e operacioneve, konsolidimin dhe ridislokimin në QSU.
Sipas kapiten Kiçinës qëllimi i këtij ushtrimi ka qenë përmbledhja e aktiviteteve trajnuese në shkencat ushtarake dhe lidership si dhe vlerësimi i njohurive të fituara gjatë vitit akademik 2013/ 2014. Jam shumë i kënaqur me motivimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të kadetëve të QSU-së që kanë treguar në këtë kamp të avancuar fushor 2014 duke i përfshirë të gjitha gjeneratat u shpreh komandanti i QSU-së.
Para kadetëve të FSK-së foli edhe ministri për ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Agim Çeku i cili tha se Akademia Ushtarake e Kosovës është njëra nga tregimet më të suksesshme dhe kjo po dëshmohet edhe me rezultatet e kadetëve në këtë ushtrim. Jam këtu ta vizitojë kampin e akademisë ushtarake, kadetët e të cilës janë duke ushtruar skenarë të ndryshme që në çdo situatë ti marrin detyrat konkrete. Mburremi me akademinë ushtarake dhe me oficerët tanë të cilët janë të kompletuar si në aspektin e shkollimit civil edhe atë ushtarak, përfundoi ministri Çeku.
Një eksperiencë shumë e mirë ishte edhe për kadetin e vitit të katërt të QSU-së Ismail Hoxha Jemi në ditën e 7-të të ushtrimit fushor dhe kjo që po bëjmë ne është një eksperiencë e mirë sepse ne i praktikojmë të gjitha aftësitë dhe njohuritë tona ushtarake qe i kemi mësuar në akademi. Çdo gjë këtu është më e vështir se në qendër universitare, por ky vend këtu është sikur bota jonë me të cilën jemi mësuar të jetojmë u shpreh kadet Hoxha.
Ushtrimi Fushor Kampi i avancuar fushor 2014 i kadetëve të FSK-së do të përfundojë me 25 maj 2014.
Pjesëmarrës në këtë ushtrim ishin: Ministri i FSK-së Agim Çeku, komandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT-së) gjeneral major Rrahman Rama, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS-së) gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandandi i QSU-së kapiten Avni Kiçina, përfaqësues të Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s si dhe oficerë të lartë të FSK-së.