Kadetët e FSK-së demonstrojnë aftësitë për operacione luftarake
Prishtinë, 14 qershor Një numër i madh i vizitorëve përcollën sot kadetët e Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë realizmit të ushtrimit fushor Kampi veror 2017 mbajtur në fshatin malor Zhegoc të Komunës së Gjilanit.
Fillimisht komandanti i QSU-së, majori Avni Kliqina, i njoftoi të pranishmit me programin e ushtrimin fushor të cilin kadetët e FSK-së, po e realizojnë në Kampin Veror 2017. Ushtrimi Fushor Kampi veror 2017 ka filluar së realizuari më 5 qershor dhe pritet të përfundojë me 18 qershor 2017, në të cilin ushtrim janë të përfshirë të gjithë kadetët e QSU-së, të cilët kanë rastin që të dëshmojnë dhe të vlerësojnë njohuritë dhe shkathtësitë e fituara si në aspektin individual po ashtu edhe në atë ekiporë.
Për të përcjellë nga afër demonstrimin e kadetëve të QSU-së, të pranishëm ishin: zëvendës ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), Muhamet Latifi.
Ky ishte një ushtrim vlerësues për kadetët e vitit të katërt, të cilët e kanë edhe aktivitet vlerësimi dhe testimit për atë çka kanë mësuar për katër vite. Na gëzon fakti se këtë testim të gjithë kadetët e kanë kaluar me vlerësim të shkëlqyeshëm. Ky nivel i përgatitjes së FSK-së është dëshmuar edhe në të gjitha pjesëmarrjet dhe garat ndërkombëtare ku kadetët e FSK-së kanë zënë vendet e para, tha Latifi.
Ndërsa, gjenerali Gëzim Hazrolli duke vlerësuar lartë ushtrimin fushor ndër të tjera tha se: Ky ushtrim vjetor ka për qëllim dhe është mundësi që secili kadetë të vlerësohet veç e veç në shumë fusha të trajnimit dhe më i rëndësishme është që të vihen në dukje dhe të vlerësohen në praktik aftësitë e lidershipit të kadetëve që kanë mësuar dhe zbatimi i tyre në kushtet terrenit.
Kurse komandanti i Kampit Bonsdteell, koloneli Korvin Lusk, u shpreh për ushtrimin se; Kjo që pamë ishte një ushtrim i përgatitur mirë, ishte një demonstrim i mirë i kadetëve për lidership të fortë.
Gjatë këtyre 15 ditëve të qëndrimit të kadetëve në terren, instruktorët dhe udhëheqësit e tyre patën mundësi që të bëjnë vlerësimin e aftësive taktike të kadetëve në planifikim, përgatitje dhe ekzekutim të operacioneve luftarake, ndërsa kadetët patën mundësinë të praktikojnë në terren operacione luftarake të mësuara gjatë studimeve.
Kampi veror 2017 u realizua në bazë të planit vjetor të Qendrës së Studimeve Universitare për kamping dhe realizimin e të gjitha ushtrimeve të përbashkëta me të gjithë kadetët e QSU-së.