Kaçaniku, qytet i qetë
Kaçanik, 21 dhjetor - Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, e ka pritur në një takim komandantin e Stacionit të Policisë në Kaçanik, kapitenin Afrim Halili, i cili shoqërohej nga Jaser Jaha e Zija Bela, zyrtarë në këtë stacion policor.
Kapiteni Halili e ka vlerësuar gjendjen e mirë të sigurisë në zonën e përgjegjësisë, ndërsa ka thënë se gjatë këtij viti që po e lëmë pas nuk ka pas ndonjë problem që duhet theksuar. Ai e ka njoftuar kryetarin Ilazi edhe për përgatitjen e planeve të veprimit me rastin e festave të fundvitit dhe qëndrimit të mërgimtarëve në vendlindje, ndërsa edhe një herë iu ka bërë thirrje qytetarëve për mospërdorimin e armëve të zjarrit me rastin e festave, siç është vepruar në të kaluarën.
Ndërkaq kryetari Ilazi e ka përgëzuar komandantin Halili për punën e shkëlqyeshme të policisë, ndërsa ka shtuar se si rezultat i kësaj, Kaçaniku është vend i qetë e stabil dhe me nivel të lartë të sigurisë. Ilazi i ka inkurajuar zyrtarët policor për punë të suksesshme edhe në të ardhmen, ndërsa e ka vlerësuar bashkëpunimin e Policisë me Komunën.