Kaçaniku i dorëzon IHKLK-së materialin e grumbulluar për krime të luftës
Kaçanik, 29 dhjetor - Kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi i ka dorëzuar Prof. dr. Ismet Salihu, këshilltar shkencor në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë (IHKLK), materialin e grumbulluar për krimet dhe dëmet e luftës gjatë viteve 1998 dhe 1999, prej 3960 faqesh.
Kryetari Ilazi ka thënë se materiali me fotografi, videomateriale dhe deklarata të dëshmitarëve të mbijetuar, është dëshmi e krimeve makabre që forcat serbe kanë kryer gjatë masakrave, vrasjeve dhe djegieve të pasurisë.
Ndërkaq profesor Salihu tha se këto materiale dëshmojnë krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Salihu e ka falënderuar Komunën e Kaçanikut për punën e bërë në mënyrën më të mirë, të sistemuar e të kompletuar. Këto materiale do ti shërbejnë IHKLK-së edhe për krijimin e një baze të dhënash dhe botimin e një monografie, tha mes tjerash Salihu. Të pranishëm gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të materialeve të grumbulluara ishin edhe z. Abedin Selimaj bashkëpunëtor profesional në Institut, znj. Lendita Hasaj bashkëpunëtore, Fahri Vishi dhe anëtarë të Komisionit Komunal për ngritjen e padisë ndaj Serbisë.
Fahri Vishi, i cili ishte angazhuar që nga dita e parë pas përfundimit të luftës, për grumbullimin e materialeve për krimet e luftës në Komunën e Kaçanikut, ka thënë se pjesëtarët e UÇK-së kanë gjetur trupat e masakruar në vende të ndryshme, ndërsa të dhënat janë grumbulluar e sistemuar, ndërsa, Xhelal Gashi, anëtar i Komisionit për ngritjen e padisë ndaj Serbisë ka thënë se në Komunën e Kaçanikut kanë ndodhur krime të llojllojshme, ndërsa ka përmendur masakrën e Kotlinës ku më 24 mars të vitit 1999, në mënyrën më çnjerëzore u vranë 26 kotlinas, prej tyre 11 dëshmorë dhe 15 viktima dhe atë të Rakocit e Lagjes së Re ku u vranë e u masakruan 28 dëshmorë të kombit dhe 32 martirë. Ndërkaq, z. Selimaj ka thënë se me grumbullimin e këtyre materialeve, vendi ynë do ta ketë më lehtë për të ngritur padi ndaj Serbisë.