Kabashi sërish refuzon të flasë
Hagë, 23 gusht - Në Tribunalin e Hagës ka vazhduar edhe sot procesi i rigjykimit ndaj ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Harainajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Sikurse edhe dje, dëshmitari Shefqet Kabashi, ka refuzuar tu përgjigjej pyetjeve të prokurorit, duke thënë se nuk është dëshmitar i vlefshëm për këtë rast.
Qysh në fillim të seancës së sotme me propozimin e prokurorit, Paul Rogers, ish- ushtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi është paraqitur prapë në Gjykatën e Hagës, për tu pyetur lidhur me ngjarjet e zhvilluara gjatë luftës në zonën e Jabllanicës.
Prokurori fillimisht e pyeti Kabashin se a është kujtesa e tij me e freskuar në vitin 2005 gjatë procesit gjyqësor të Fatmir Limajt, apo tani, mirëpo Kabashi ka ironizuar pyetjen, duke thënë se tashmë nuk di dhe nuk është në gjendje të përgjigjet.
Nuk po di tu përgjigjem këtyre pyetje nëse ka mundësi të më lini rehat. Unë deri këtu po vi me duar të lidhura dhe jam në të njëjtën situatë siç kam qenë në burg përpara, çdo gjë është e njëjtë dhe unë nuk kam mundësi të koncentrohem, ka thënë ai.
Madje, në përsëritjen e pyetjes së prokurorit se nëse i kujtohet dëshmia e 2005-së dhe pyetjet që i janë bërë për ngjarjet në Jabllanicë në vitin 1998, Kabashi tha se e di që i janë bërë pyetje, porse nuk po mund ta dijë a jemi në vitin 2005, 2011 apo 2012.
Po them prapë. Nuk jam në gjendje të jap përgjigje të sakta dhe nuk dua të gabojë, sepse sa më shumë që gabon njeriu këtu po të kushton dhe kisha kërkuar që të ndërkrehet kjo, sepse nuk jam dëshmitar i vlefshëm për juve, është shprehur ai.
Ndër të tjera, dëshmitari Kabashi tha se nuk dëshiron të flasë më tutje dhe më i kënaqur është të qëndrojë në burg, sesa të vij me duar të lidhura të jap dëshmi në gjykatë.
Pas largimit të Kabashit nga seanca, prokuroria dhe pala mbrojtëse kanë paraqitur argumentet e tyre lidhur me deklaratat e bërë më herët dhe tani nga dëshmitari, si dhe për vërtetësinë e qëndrueshmërinë e tyre.
Prokuroria ka propozuar që transkripti i dëshmisë së Kabashit në rastin e Fatmir Limajt i bërë në vitin 2005 të futet si provë materiale. Aktualisht seanca ka ndërprerë punimet për një pushim, kurse ajo do të vazhdojë me diskutimet mes prokurorisë dhe pala mbrojtëse.
Ndryshe dëshmitari Shefqet Kabashi, dje i ka cilësuar hetuesit ndërkombëtarë si me të padrejtë se ata serbë gjatë kohës së luftës. Ai ka thënë se nuk ka pasur burg në Jabllanicë ashtu siç pretendon prokuroria, ndërsa ka akuzuar këtë të fundit që nuk ka bërë asgjë për shumë raste edhe më të rënda, kurse ka përmendur rastin e 200 shqiptarëve të e vrarë e masakruar në Burgun e Dubravës.