Juristë nga diaspora, Kosova e Shqipëria diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit
Prishtinë, 10 qershor - Për herë të parë, sot, në Prishtinë, në Ditën e Avokatisë së Odës së Avokatëve të Kosovës, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Avokatëve të Kosovës, po mbahet konferenca Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës.
Konferenca ka për qëllim të vihen kontakte mes avokatëve e juristëve nga diaspora dhe atyre nga Kosova, si dhe të krijohen mundësi për bashkëpunim me institucionet e Kosovës.
Konferencën Mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe juristëve të diasporës e hapi Osman Havolli, kryetar i OAK-së, cili i vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e shumë avokatëve në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Ai tha se Oda e Avokatëve të Kosovës, e monitoruar nga institucionet ndërkombëtare qëndron e para në relacion me shtetet e tjera në rajon për aktivitetet dhe mekanizmat që i ka zhvilluar.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, pasi uroi Ditën e Avokatisë, duke u dëshiruar mirëseardhje edhe juristëve nga diaspora, përçoi mesazhin e bashkëpunimit jo vetëm mes juristëve, por edhe me institucionet e Republikës së Kosovës në sfidat që vijnë.
Atdheu ynë i përbashkët ka ende shume sfida, të cilat mund të kalohen me një vullnet të përbashkët dhe duke i shfrytëzuar potencialet reciproke. Pra, atdheu dhe dashuria e përkushtimi për të janë pika kyç që na lidhin dhe na shtyjnë të gjejmë modalitete të bashkëpunimit në këto ditë sa do të mbahet konferenca, tha ndër të tjera ministri Murati.
Ai edhe njëherë kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që ti ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që vendimin për themelimin e Dhomës së Posaçme për investitorët e huaj, ku futet drejtpërdrejt edhe pjesa e madhe e investitorëve të diasporës, të funksionalizohet, meqë rëndësia e këtij mekanizmi është tejet e madhe për të ardhmen socio-ekonomike të atdheut.
Në fund të fjalës, ministri Murati the se ndihet i lumtur që sot me këtë konferencë po fillojnë edhe zyrtarisht Ditët e diasporës. Ai i njohu të pranishmit se Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me komunat dhe partnerët e tjerë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjen sa më të mirë të bashkatdhetarëve tanë gjatë verës, me moton TI JE PJESË E ATDHEUT.
Pjesëmarrës në konferencë ishte edhe zëvendësministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili tha se ndihet i nderuar që sot merr pjesë në shënimin e Ditës së Avokatisë së Kosovës.
Më vjen që mirë që kjo konferencë organizohet në bashkëpunim me juristët dhe avokatët që janë jashtë. Ky është një sinjal i mirë i shkëmbimit të mendimeve tona, është rritje e konkurrencës. Konkurrenca nuk e dobëson sistemin juridik, por e forcon atë. Është jashtëzakonisht me rëndësi që të jeni konkurrentë në ndihmë vendit tonë, tha ndër të tjera zëvendësministri Kuçi . Ai theksoi se të gjithë avokatët dhe gjyqtarët e kanë një bazë juridike dhe ajo është ligji.
Në këtë konferencë u bë edhe betimi i avokatëve të rinj dhe i praktikantëve.
Konferenca do ti vazhdojë punimet edhe nesër, ku do të mbahen panel-diskutime dhe do të nxirren konkluzionet dhe rekomandimet nga çështjet e trajtuara juridike.