Javë e qetë në Mitrovicë
Mitrovicë, 27 maj - Situata e sigurisë në javën e fundit ka qetë dhe pa ndonjë incident që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtoprisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se në përgjithësi ka qenë një situatë e qetë dhe pa ndonjë incident serioz. Ai përmendi si provokim parakalimin e maturantëve serbë nga Zveqani deri te ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë, të cilët kanë marshuar me flamuj dhe kanë kënduar këngë çetnike.
Në anën tjetër, ai përmendi edhe pajtimin e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për implementimin e marrëveshjes. Pas pajtimit që është arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daqiç nuk ka pasur ndonjë reagim në veri.
Ai theksoi se në përgjithësi duket një disponim i mirë nga qytetarët në të dy anët e Ibrit sa i përket marrëveshjes. Në veri vazhdojnë të jenë kundër vetëm grupet kriminale që nuk ju konvenon qetësia dhe rendi, tha ai.