Jahjaga: Të intensifikohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit
Prishtinë, 13 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sot Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor Enver Peci, u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit Sylë Hoxha dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, për të diskutuar për hapat e organeve të rendit dhe të ligjit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidentja Jahjaga theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të intensifikohet dhe të adresohet me urgjencë për ti hapur Kosovës perspektivën ekonomike dhe përparimin e saj në përmbushjen e reformave për liberalizim të vizave dhe integrim evropian.
Takimi i sotëm është pjesë e rekomandimeve të dala nga Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit për intensifikim të zbatimit të ligjit në këto fusha.