10 Maj 2024

Jahjaga: Kosova do ta ketë forcën e vet mbrojtëse

Prishtinë, 2 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Qendrën për Studime Universitare të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ajo u prit nga komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ndërsa më pas mbajti një fjalë para kadetëve të kësaj qendre, si dhe zhvilloi një debat e u përgjigj në pyetjet e kadetëve.

\"Gëzohem që sot jam në mesin tuaj. Fillimisht për t’iu përgëzuar juve dhe paraardhësit tuaj për punën e palodhshme, për përkushtimin tuaj që e kanë bërë për ngritjen e këtij institucioni qenësor për të ardhmen e Republikës së Kosovës, dhe pastaj për të diskutuar me ju për punën e madhe që po na pret për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës\", ka theksuar ajo.

Sipas saj për çdo institucion që është krijuar në Kosovën e pasluftës se sa sfidues është çdo fillim.

\"I tillë ishte edhe rrugëtimi i qytetarëve tanë për të realizuar ëndrrën e gjeneratave të tëra për të ndërtuar një Kosovë që frymon lirshëm, një shtet i lirë, shtet i pavarur, shtet sovran\", ka pohuar ajo.

Sipas saj me përmbylljen e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë – një proces gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional që analizoi mekanizmat tonë të sigurisë, nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe interesat e orientimet strategjike të shtetit tonë – institucionet e Kosovës arritën te një përfundim për nevojën e krijimit të një force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s synon anëtarësimin në këtë aleancë.

\"Në ditët në vijim, Kuvendi i Kosovës do të diskutojë ndryshimet kushtetuese që lidhen me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Si në çdo demokraci, edhe te ne ky proces nuk ka kaluar pa kundërthënie\", ka theksuar ajo.

Sipas saj në këtë kontekst, dua t’ua rikujtoj të gjithëve se ky proces duhet të përmbyllet me formimin e forcës tonë mbrojtëse. Krijimi i Forcave të Armatosura është domosdoshmëri dhe ky opsion nuk ka alternativë. Kjo forcë është e Kosovës, për Kosovën.

\"Kosova do ta ketë forcën e vet mbrojtëse, e cila do ta kompletojë konsolidimin tonë si shtet dhe do të bëhet kontribuuese e sigurisë kolektive të Evropës. Ju kadetë do të jeni jo vetëm përfituesit e trajnimeve dhe shkollimit profesional me standarde të NATO-s, por edhe shtylla e Forcës tonë të Armatosur. Jam shumë krenare për arritjet tuaja dhe me padurim pres ditën kur ju do ta integroni Kosovën në Aleancën Veriatlantike\", ka theksuar ajo.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)