Jahjaga: Korrupsioni po rrezikon të ardhmen e Kosovës
Pothuaj afër dy vjet pas krijimit të Këshillit, me gjithë suksesin e vendosjes së komunikimit ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile e mekanizmave për luftimin e korrupsionit, Kosova sipas saj ende sfidohet nga kjo dukuri e rëndë në shoqërinë tonë dhe po e rrezikojmë të ardhmen tonë.
Ajo ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është beteja më e rëndësishme që do ta kthejë besimin e qytetarëve në institucione, që do të ndihmojë në funksionimin demokratik të institucioneve dhe të të gjithë shoqërisë dhe që do të hap perspektivën e zhvillimit të vendit tonë.
"Institucionet tona, në koordinim me faktorin ndërkombëtar, duhet ti tregojnë qytetarit të Republikës së Kosovës që kjo luftë është luftë e përbashkët. Rendi dhe sundimi i ligjit nuk mund të funksionojë në një shtet ku ka korrupsion."
"Përmirësimi i imazhit të Kosovës ndihmon në ecjen tonë përpara. Se vetëm kështu ne mund garantojmë progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Investitorët e huaj janë të interesuar të punojnë në një shoqëri funksionale ku investimet e tyre mbrohen nga institucionet dhe klima biznesore është e sigurt", ka pohuar jahjaga.
Agjencia Kundër Korrupsionit sipas saj ka treguar rezultate pozitive që sigurisht do të jenë më të mëdha me forcimin dhe qartësimin e koordinimit të kësaj agjencie me institucionet tjera, duke u definuar disa çështje që lidhen me ndjekjen penale dhe veprat konkrete të korrupsionit.
Po ashtu Jahjaga ka potencuar se Policia e Kosovës po bën përpjekje të shtuara në ngritjen e kapaciteteve për specializim në ndjekjen e veprave të korrupsionit, që do të tregojë rezultate pozitive në mbledhjen e informacioneve dhe profesionalizëm në ndërtimin e rasteve.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndërmarrë disa hapa me të cilat kanë fuqizuar rolin e Prokurorive në ndjekjen e veprave korruptive. Kapacitetet e brendshme të Prokurorisë duhet të shtohen dhe të ruhet standardi i integritetit të lartë të Prokurorëve të rinj.
Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka bërë prioritet të punës shqyrtimin e rasteve te korrupsionit.
Ajo ka thene se duhet të vazhdohet me planifikimin më të mirë të shpërndarjes së rasteve në Gjykata në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve ekzistuese duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Gjyqtarëve në të gjitha nivelet, dhe duke përmbyllur më shumë lëndë të rasteve të korrupsionit brenda vitit.